Mjekësia e Dhimbjes
Të jetosh me dhimbje nuk është normale — dhe nuk duhet të jetë pjesë e përditshmërisë suaj.
Çfarë është mjekësia e dhimbjes?
Mjekësia e dhimbjes është një fushë që merret me gjetjen e shkakut të dhimbjes dhe trajtimin e saj në mënyrë të sigurt e efektive, me qëllim që t’ju rikthejmë lirinë për të lëvizur dhe jetuar pa kufizime.
Në klinikën tonë, ne kujdesemi për dhimbjet e kokës, qafës, shpinës, krahëve, këmbëve, kyçeve dhe shumë të tjera — qoftë ato të shkaktuara nga dëmtime, inflamacion, nerva të bllokuar apo sforcime të muskujve.
Si e trajtojmë dhimbjen?
Ne ofrojmë trajtime të personalizuara, në varësi të gjendjes suaj dhe llojit të dhimbjes që keni.
Disa nga procedurat që realizojmë përfshijnë:
Injeksione diagnostike dhe terapeutike në artikulacione, muskuj apo nerva.
Injeksione epidurale për dhimbjet që burojnë nga shtylla kurrizore apo ngacmimi i nervave që dalin prej saj.
Injeksione intraartikulare me acid hialuronik për rigjenerimin e kyçeve, rikthimin e funksionit dhe lehtësimin e dhimbjes.
Injeksionet në Dr. Bee
Çdo procedurë kryhet nën udhëheqje ekografike ose fluoroskopike — kjo do të thotë se ne e shohim në kohë reale se ku po shkon gjilpëra dhe ilaçi.
Kjo sjell disa përfitime të rëndësishme për ju:
Saktësi maksimale – injeksioni vendoset fiks aty ku është problemi.
Siguri më e lartë – shmangen strukturat e ndjeshme si nervat apo enët e gjakut.
Më pak dhimbje dhe shërim më i shpejtë.
Transparencë totale – ju mund të shihni në ekran se çfarë po bëjmë.
Përfitimet që mund të prisni
Pas trajtimit, shumica e pacientëve përjetojnë:
- Lehtësim të ndjeshëm ose zhdukje të dhimbjes.
- Lëvizshmëri më të mirë dhe kthim në aktivitetet e përditshme.
- Më pak nevojë për medikamente kundër dhimbjes.
- Përmirësim të cilësisë së jetës dhe humorit.
Rreziqet e mundshme
Edhe pse procedurat janë të sigurta, si çdo ndërhyrje mjekësore ekziston një rrezik minimal.
Në raste të rralla mund të shfaqen:
- Skuqje, mavijosje, ënjtje apo dhimbje e lehtë në vendin e injeksionit.
- Reaksion alergjik ndaj medikamentit.
- Infeksion lokal (shumë i rrallë).
Të gjitha këto rreziqe minimizohen falë përdorimit të ekografisë dhe kushteve sterile gjatë procedurës.
Çfarë duhet të dini përpara procedurës
Para çdo trajtimi, bëhet një vlerësim i plotë nga mjeku për të përcaktuar mënyrën më të përshtatshme të trajtimit. Për të shmangur përsëritjen e panevojshme të ekzaminimeve imazherike e laboratorike, sillni me vete ekzaminimet e mëparshme. Ditën e takimit vishni rroba të lirshme dhe komode.
Duhet të tregoni çdo medikament që merrni (veçanërisht hollues gjaku) dhe alergjitë që keni. Procedurat zakonisht nuk kërkojnë anestezi të përgjithshme dhe zgjasin më pak se një orë. Nëse procedura kërkon sedacion, do t’ju kërkohet të paraqiteni esëll. Gjithashtu, nuk do mundeni të drejtoni automjete apo makineri të rënda për 24 orë.
Pas injeksionit, shumica e pacientëve kthehen në aktivitetet e zakonshme brenda ditës. Megjithatë, për sigurinë dhe komoditetin tuaj, rekomandohet të vini të shoqëruar.
Qëllimi ynë
Qëllimi ynë është t’ju ndihmojmë të jetoni pa dhimbje, me lëvizje të lirshme dhe energji, për të shijuar maksimumin e potencialit tuaj.